Bashkitë e Tiranës, Vlorës, Matit, Tepelenës, Cërrikut dhe Beratit do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Vëmendja kryesore do të jetë në Tiranë, ku pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj, në garë socialistët do të hedhin Ogerta Manastirliun, e cila u bë e ditur sot nga kreu i socialistëve, Edi Rama.
E deleguar si një nga tre drejtueset politike të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, Manastirliu, dikur vartëse e Edi Ramës në bashki, do të hyjë sërish në fushatë, këtë herë për ta drejtuar vetë institucionin.
Ndërkohë, zgjedhje do të zhvillohen edhe në Vlorë, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen vetëm një ditë më parë. I kritikuar shpesh nga kryeministri Rama për drejtimin e bashkisë, ish-diplomati e njoftoi kreun e PS-së pak orë para nisjes së mbledhjes së Asamblesë.
Zgjedhje do të zhvillohen gjithashtu edhe në Berat, Mat e Tepelenë, ku të zgjedhurit e dy viteve më parë tashmë kanë marrë mandatin e deputetit.
Ndërkohë, vetëm sot është mësuar se në zgjedhje do të shkojë edhe Bashkia e Cërrikut, pasi kryebashkiaku aktual u emërua ministër në qeverinë Rama.
Sipas burimeve, qeveria pritet të njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës brenda shtatorit; më pas ky i fundit e vendos brenda 48 orëve datën. Data e zgjedhjeve duhet të caktohet jo para 30 ditëve dhe as pas 45 ditëve, sipas legjislacionit, nga momenti që qeveria jep njoftimin zyrtar.