Situatë problematike në Lurë, Zall-Gjoçaj dhe Dukat/ 29 vatra zjarri, 680 forca në terren

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga 29 vatra zjarri në zona të ndryshme, një situatë shqetësuese që po ndjeket nga afër nga autoritetet. Prej tyre, 10 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

Pikat më problematike mbeten në Parkun Kombëtar të Lurës, në Zall-Gjoçaj të Matit dhe në zonën e Dukatit, ku për shkak të terrenit të vështirë dhe temperaturave të larta, ndërhyrja është bërë më sfiduese.

Për të përballuar emergjencën, janë angazhuar mbi 680 forca nga strukturat vendore dhe qendrore, përfshirë 52 mjete zjarrfikëse dhe 215 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ndihma ka ardhur edhe nga ajri: dy helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare, një avion Canadair i ardhur nga Kroacia dhe dy helikopterë hungarezë të aktivizuar në kuadër të ndihmës ndërkombëtare përmes Bashkimit Europian.

Ndërkohë, temperaturat ekstreme që arrijnë deri në 42°C dhe mungesa e reshjeve kanë krijuar një klimë shumë të favorshme për përhapjen e flakëve. Instituti i Gjeoshkencave ka shpallur nivel rreziku ‘TË LARTË’ në të gjitha qarqet, ndërsa në qarkun e Korçës është shpallur alarmi ‘SHUMË I LARTË’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *