Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka reaguar për rrethimin e televizonit News 24 nga efektivët e policies, duke e cilësuar si një ‘hakmarrje’ nga ana e qeverisë Rama.
Ai thekson se në këtë rast qeveria po ‘godet’ median e ish-ortakun të saj.
Qori thekson se ky veprim nga institucionet shtetërore është ndërmarrë për arsye se televizioni në fjalë, ka pasur një qëndrim kritik ndaj pushtetit.
“Pushteti hakmerret ndaj ish-ortakut të vet, pa e vrarë mendjen se të njëjtat privilegje që sot po ia heq atij vazhdon t’ua njohë e forcojë ortakëve të tjerë.
Të jesh gazetar sot në Shqipëri është gjithnjë e më e vështirë. Censura e ‘vetëkuptueshme’ nis me bizneset e pronarit dhe ortakëve të tij. Mbi të ngrihet censura për hir të interesave të reklamuesve të televizionit.
Me ndërthurjen gjithnjë e më të imët të interesave të pronarit dhe qeverisë, censura merr trajtën e një linjës editoriale proqeveritare. Papritmas gazetari e gjen veten në rrugë. Pa punë, pa siguri dhe pa vlerësim për punën e kryer në kushte thuajse të pamundura.”, shkroi Qori në një postim në Facebook.









