Komisioni Evropian ka paraqitur një propozim për pezullimin e aksesit të Izraelit në fondin evropian të kërkimit ‘Horizon‘, si një masë presioni për të ndihmuar në përfundimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës.
Komisionerët evropianë u takuan të hënën për të diskutuar këtë veprim, i cili përfaqëson një reagim ndaj ‘dështimit’ të Izraelit për të zbatuar një marrëveshje të negociuar për përmirësimin e furnizimit me ushqime dhe ndihma mjekësore për popullsinë palestineze në Gaza.
Kjo lëvizje pritet të ndikojë në pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të reja izraelite që zhvillojnë ‘inovacione përmbysëse dhe teknologji në zhvillim me përdorim të mundshëm të dyfishtë, si siguria kibernetike, dronët dhe inteligjenca artificiale’, sipas një deklarate të Komisionit Evropian.
Deri në këtë pikë, komisionerët evropianë, përfshirë Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen, kishin refuzuar kolektivisht të mbështesin ndonjë veprim kundër Izraelit.
Propozimi do të diskutohet sot dhe mund të hidhet në votim nga shtetet anëtare të BE-së, gjatë një takimi të ambasadorëve të 27 vendeve.
Pezullimi i pjesëmarrjes së Izraelit në programin Horizon ishte një nga dhjetë opsionet e paraqitura për Komisionin dhe shtetet anëtare, pas një raporti zyrtar që ngre shqetësime për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare, për shkak të gjendjes së rënduar të civilëve në territoret palestineze. Aspra News-Euronews









