Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën e tij të ngahershme për shtyp me gazetarët, theksoi se djegiet dhe dëmet nga zjarret në Shqipëri janë një krim shtetëror.
Berisha tha se taksat e qytetarëve nuk janë përdorur për të marrë masa për fatkeqësinë e zjarreve.
Ai shtoi se qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues që të kompensojë çdo dëm që u është bërë qytetarëve shqiptarë nga zjarret.
“Vendi nuk ka zjarrfikëse, helikopterë, kanadairë apo avionë të tjerë për shuarjen e zjarreve.
Ndërkohë Edi Rama paguan 5 milionë euro për të vendosur ‘Kopshtin e Edenit’ në oborrin e Kryeministrisë, paguan 7 milionë euro kompaninë private ditën e zgjedhjeve, për të manipuluar zgjedhjet.
Paguan 10 milionë euro për satelitët. Dhe pikërisht në vitin kur kishim dhe shikimin satelitor, zjarret bënë kërdinë si asnjëherë tjetër më parë.
Të gjitha këto shuma të paguara nga qytetarët e Delvinës dhe qytetarët shqiptarë, nga taksat e tyre, janë rreth 490 milionë euro. Sikur vetëm ¼ e tyre të përdorej për mjete antizjarr, Shqipëria do të kishte së paku 7 deri në 10 kanadairë. Do të kishte 4 helikopterë të tjerë dhe së paku 180 zjarrfikës. Nëse përdorej gjysma, këto shifra do të ishin më të mëdha.
Ja pse djegiet dhe dëmet janë një ‘krim shtetëror’. Qëllimi im sot para jush është që të mbroj interesat e qytetarëve shqiptarë të dëmtuar. Sepse duke e njohur si një krim shtetëror, qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për çdëmtime maksimale urgjente për të gjithë dëmin e bërë.”, tha Berisha.









