Ish-deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të Sali Berishës për t’i dhënë tre mandate aleatit të tij, Ilir Metës.
Murrizi akuzon se që prej vitit 2001, Berisha ka ‘qerasur’ partitë e vogla, të cilat sipas tij nuk kanë peshë elektorale dhe nuk përfaqësojnë të djathtën shqiptare.
Ai kujton gjithashtu periudhën 2009–2013, kur PD ishte në pushtet, duke theksuar se zgjedhjet e vitit 2013 u humbën vetëm për shkak se aleatët e saj të LSI-së, të cilët mbanin poste të rëndësishme, ndihmuan Edi Ramën për t’u bërë kryeministër.
“Oo doktor Berisha!
Ke 29 vjet, që nga viti 1996, që ngele duke “qerasur” me votat e demokratëve, antikomunistëve, idealistëve, të përndjekurve politikë lloj-lloj komunisti, hajduti, mashtruesi, mosmirënjohësi, palaçosh me pushtet. Dhe këta, sa ikën PD nga pushteti, ikin dhe humbin si shurra e pulës në mullar të bykut.
Ke afro 30 vjet që ‘qeras’ me deputetë çdo mashtrues e besëprerë në parti leshi që nuk kanë as anëtarë, as votues, as struktura dhe pothuajse janë të ‘shkrira’, po mos ishe kaq ‘bujar’ ti në çdo palë zgjedhje.
Po si nuk “qerase” një herë të vetme demokratët që i kanë qëndruar PD në opozitë, mor doktor??????
Në vitin 1996, ata që “qerase” pa asnjë kontribut e meritë, ikën si qen të pshurrur nga sytë këmbët në mars 1997.
Ata që qerase me mandat deputeti dhe ministrash, zv.ministrash, drejtor drejtorie në vitin 2005, kanë ikur të gjithë te PS, doktor, ose shijojnë çfarë vodhën duke ndenjur si “asjanës” në qejfin e tyre.
Ata që qerase me 30% të pushtetit në 2009, mor doktor, dhe i dhanë kosto e faturë të rëndë PD-së, si kokrra hajdutësh, të ikën në prill 2013 dhe sollën Ramën në pushtet.
Ata që “qerase” me deputetë në vitin 2013, doktor, të lanë dyfekun në faqe dhe bashkuan votat me Ramën për 4 vjet, duke bërë dhe reformën territoriale dhe mbaruan punët e tyre në kurriz të votave të demokratëve.
Qerase Lylin 8 vjet, doktor, nga 2013 në 2021, derisa të përjashtoi. Dhe kur nuk kishte kush ta qerase, iku si shurrë pule duke marrë vota sa për kryeplak në Kryevidh.
Më 11 maj 2025, përveç 8 deputetëve që “qerase” parti pa votues, “qerase” dhe të gjithë ata që nuk lanë gjë pa thënë e pa bërë kundra demokratëve nga shtatori 2021, e sidomos më 8 janar 2022, me mandat deputeti.” shkroi Murrizi një postim në Facebook.








