Berisha ndan kujtimet me Ibrahim Rugovën/ ‘Si e binda kryeministrin e Greqisë që ta takonte’

Ish-kryeministri, Sali Berisha, mori sot pjesë në promovimin e librit Dr. Ibrahim Rugova, ku ndau kujtime për ish-presidentin e Kosovës.

Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se Ibrahim Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës dhe se ia arriti këtij qëllimi falë unitetit që krijoi në vend.

Zgjodhi gandizmin në një kohë kur pushka shihej si rruga e vetme. Asnjë shqiptar para tij nuk kishte bërë një zgjedhje të tillë. Ai arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë më parë; të gjithë ishin bashkë në projektin e tij për pavarësinë,” u shpreh Berisha.

Ai kujtoi edhe momentin kur kishte bindur kryeministrin e Greqisë së asaj kohe, Konstantin Mitsotakis, që të priste ‘presidentin paqedashës të një populli të robëruar’.

Ishte maji i vitit 1992. Në Stamboll, në nismën e Detit të Zi, takohem me kryeministrin e Greqisë, Konstantin Mitsotakis, një njeri që kishte mbështetur PD-në në themelimin e saj, por që, siç e impononte trashëgimia 45-vjeçare e marrëdhënieve, kishte edhe problematikat e veta.

Në bisedë e sipër më kërkoi të takoja patriarkun. ‘Jo,’ i thashë unë, ‘sepse ne jemi një vend plurireligjioz dhe nuk më shkon të bëj vizita të tilla, përveç Vatikanit që është shtet. Për të tjerët, unë respektoj pluralitetin fetar të vendit tim.’
‘Mirë,’ tha ai.

Tani, kërkesa ime: të presësh presidentin Ibrahim Rugova.
‘Pse ta pres?’ më tha.
‘Ta presësh,’ i thashë unë, ‘se ai është themeluesi i partisë së parë antikomuniste në Ballkan dhe ti je një antikomunist i njohur.
Ta presësh sepse ai ka filozofinë e paqes. Ai udhëheq një popull të robëruar, një popull që kështu e ka historinë, edhe me luftëra dhe pushtime, por ai ka dalë me mantrën paqësore të zgjidhjes.
Së treti, ti nuk mund të injorosh dy milionë shqiptarë aty.’
‘Jemi dakord, dakord,’ më tha.

Dhe ky, tashmë i ndjerë, u bë kryeministri i parë që priti presidentin Rugova në Selanik,” rrëfeu Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *