Marrëveshje energjetike janë diskutuar gjatë bisedimeve midis Uashingtonit dhe Moskës, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim në Ukrainë, raporton Reuters.
Sipas raportit, këto marrëveshje u propozuan si stimuj për të nxitur Kremlinin të pranojë një armëpushim dhe për bindur SHBA-në në heqjen e disa sanksioneve ndaj Rusisë. Mosksa është shkëputur nga shumica e investimeve ndërkombëtare në sektorin energjetik dhe nga mundësia për të nënshkruar marrëveshje të mëdha, për shkak të sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
Burime të informuara raportojnë se zyrtarët amerikanë dhe rusë po shqyrtojnë disa marrëveshje energjetike, duke përfshirë rikthimin e Exxon Mobil në projektin Sakhalin-1 dhe shitjen e pajisjeve për LNG.
Diskutime u zhvilluan gjithashtu mbi mundësinë që Rusia të blejë pajisje amerikane për projektet e saj LNG, përfshirë Arctic LNG 2, që aktualisht është subjekt i sanksioneve perëndimore.
Një tjetër propozim i hedhur në tavolinë ishte që SHBA-të të blinin nga Rusia anije bërthamore thyerëse akulli, sipas Reuters më 15 gusht.
Bisedimet u zhvilluan gjatë vizitës së dërguarit amerikan, Steve Witkoff, në Moskë, ku ai u takua me presidentin Vladimir Putin dhe dërguarin për investime, Kirill Dmitriev, sipas tre burimeve. Çështjet u diskutuan gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Donald Trump, sipas dy burimeve, dhe u përfshinë edhe në samitin e Alaskës më 15 gusht.
“Shtëpia e Bardhë donte të kishte një titull pas samitit në Alaskë, duke shpallur një marrëveshje të madhe investimi,” tha një nga burimet, duke shtuar se kjo i jep Trump mundësinë të shfaqet si fitimtar.
Trump dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare vazhdojnë të punojnë me zyrtarë rusë dhe ukrainas për një takim dypalësh me qëllim përfundimin e luftës, megjithatë nuk është në interes kombëtar të diskutojnë këto çështje publikisht, tha një zyrtar.
Paralelisht, Trump ka kërcënuar të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë nëse negociatat për paqen nuk avancojnë, si dhe të vendosë tarifa të rrepta ndaj Indisë, një blerës kryesor i naftës ruse. Këto masa do të vështirësonin mbajtjen e niveleve ekzistuese të eksporteve të naftës nga Rusia.
Plani i Trump, që përfshin edhe rifillimin e rrjedhës së gazit rus drejt Evropës, është bllokuar nga Brukseli, i cili ka propozuar një ndalim të pjesshëm të importeve të gazit rus deri në 2027.
Diskutimet e fundit janë zhvendosur drejt marrëveshjeve dypalëshe SHBA-Rusi, duke përjashtuar Bashkimin Evropian, i cili mbetet mbështetësi kryesor i Ukrainës.
Po të njëjtën ditë me samitin në Alaskë, Putin nënshkroi një dekret që mund të lejojë investitorët e huaj, përfshirë Exxon Mobil, të rikuperojnë aksionet e tyre në projektin Sakhalin-1, nën kushte që përfshijnë mbështetje për heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Exxon u tërhoq nga operacionet e saj në Rusi në 2022, duke shënuar një humbje prej 4.6 miliardë dollarësh, ndërsa 30% e aksioneve të saj në Sakhalin-1 u sekuestruan nga Kremlini.
SHBA-ja ka vendosur disa raunde sanksionesh ndaj projektit Arctic LNG 2 që nga viti 2022, duke kufizuar aksesin në anijet akullthyerëse të nevojshme për operimin sidomos në Artik. Projekti, i përqendruar kryesisht te Novatek, rifilloi përpunimin e gazit natyror në prill, megjithëse me ritme të ulëta.
Qëllimi i Uashingtonit është të nxisë Rusinë të blejë teknologji amerikane në vend të asaj kineze, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar lidhjet Pekin-Moskë, tha një burim.









