Sulmuesi francez Kingsley Coman do të largohet nga Bayern Munich pas plot 10 vitesh te klubi bavarez.
29-vjeçari do të udhëtojë sot drejt Hong Kongut për të kryer vizitat mjekësore dhe për të finalizuar transferimin te Al Nassr, ku do të bashkohet me skuadrën arabe ku luan edhe Cristiano Ronaldo.
Coman pritet të përfitojë një pagë neto vjetore deri në 25 milionë euro, ndërsa Bayern do të arkëtojë pak më pak se 30 milionë euro nga shitja e tij.
Nga ana tjetër, Bayern Munich ka nisur menjëherë kërkimin për zëvendësuesin e 29-vjeçarit. Sipas The Times, një nga objektivat kryesorë është Christopher Nkunku, që luan me Chelsean.
Interesi i Bayern për 27-vjeçarin është dokumentuar prej muajsh dhe shitja e Coman mund t’i japë një shtysë të re kësaj lëvizjeje. Ndryshe nga Coman, që preferon krahun e majtë, Nkunku zakonisht luan në qendër të sulmit, por fleksibiliteti i tij taktik shihet si një avantazh për bavarezët.









