Nga një djalosh i dobët pa dhëmbë, te simboli i bukurisë/ Ja si e bëri transformimin Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo, i cili sot është 40 vjeç dhe vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Al-Nassr në Arabinë Saudite, nuk është më ai djaloshi i brishtë që mbërriti në Old Trafford në vitin 2003. “Isha i vogël, i dobët dhe me dhëmbë të shtrembër”, kujtonte dikur ai vetë, në fillimet e karrierës së tij te Manchester United.

Dy dekada më vonë, ylli portugez është transformuar jo vetëm në një ikonë sportive, por edhe në një figurë të përsosur estetike, shpesh të përfolur për ndërhyrje plastike. Përveç regjimit të tij të hekurt të stërvitjes, ekspertë të kirurgjisë plastike thonë se Ronaldo mund të ketë marrë ndihmë nga bisturia.

Dr. Eli Levine, kirurg plastik i njohur në Neë York, thotë për Daily Mail se në fytyrën e Ronaldos dallohen ‘ndryshime të rëndësishme’ në hundë. Sipas tij, ura nazale duket më e rafinuar, muret anësore më të ngushta, ndërsa maja më e skalitur, shenja tipike të një rinoplastike të plotë.

Një nga ndryshimet më të dukshme është buzëqeshja. Kur mbërriti në Angli, Ronaldo mbante aparate dentare për shkak të dhëmbëve të çngjyrosur dhe të shtrembër. Sot ai ka një buzëqeshje të shkëlqyer, që sipas Dr. Levine lidhet me fasetat prej porcelani dhe ndoshta edhe me ndërhyrje kirurgjikale për të reduktuar mishrat e dukshëm të dhëmbëve.

Balli i lëmuar, qepallat e tendosura dhe mungesa e rrudhave tipike të moshës kanë hapur diskutime për përdorimin e Botox-it. Dr. Levine beson se Ronaldo ka bërë injeksione për të shmangur rrudhat në zonën e syve dhe ballit, ndërsa mollëzat e theksuara mund të jenë rezultat i mbushësve ose transferimit të yndyrës.

Eksperti nuk e përjashton as një ngritje endoskopike të vetullave, e kombinuar me rigjenerim me lazer, që i ka dhënë futbollistit një pamje të freskët edhe në të 40-at.

Flokët e trashë dhe të errët të Ronaldos kanë qenë gjithmonë pjesë e identitetit të tij, por Dr. Levine nënvizon se vijat perfekte të flokëve mund të jenë ruajtur falë trajtimeve moderne si PRP ose transplant i pjesshëm flokësh.

Sipas vlerësimit të kirurgut amerikan, kostoja e ndërhyrjeve të dyshuara mund të variojë nga 100 mijë deri në 250 mijë dollarë.

Edhe pse Ronaldo nuk ka pranuar kurrë publikisht ndonjë ndërhyrje estetike, transformimi i tij i dukshëm, nga djaloshi i thjeshtë i Lisbonës në ikonën e bukurisë dhe elegancës globale, mbetet një nga historitë më të diskutueshme jashtë fushës së blertë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *