‘Duhet zgjidhje’/ Braçe vijon denoncimet për ‘zaptimin’ e hapësirave publike

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka denoncuar sërish problemet me hapësirat publike në Tiranë, këtë herë duke u ndalur te korsitë e dedikuara për mjetet e emergjencës dhe transportin publik.

Në një video-postim të publikuar sot, ai shfaqet duke udhëtuar me mjet në zonën e Unazës së kryeqytetit, ku tregon se korsia për autobusët, ambulancat, policinë, taksitë dhe zjarrfikësit është e zënë nga automjete të tjera.

Sipas tij, bllokimi vjen kryesisht nga subjekte tregtare dhe shërbime që ndodhen përgjatë aksit rrugor, si zyra avokatie, noterësh, përkthyesish apo lokale, të cilët, megjithëse kanë orare të caktuara për furnizime, vijojnë të parkojnë në korsinë e emergjencës.

Në Unazë, duke vëzhguar korsinë e re për autobusë, taksi, ambulancë, zjarrfikës, Polici!

Shiheni, nuk funksionon!

Edhe koshat u hipën mbi trotuar, por përsëri korsia është e zënë dhe autobusi është në rrugë!

Dhe ka arsye; në të gjithë këtë aks ka shërbime, veçanërisht avokatë, noterë, përkthyes, pastaj lokale shërbimi, ushqimore etj; edhe pse këtu janë vënë tabela me orare të caktuara për furnizime, janë ata që marrin e blejnë shërbime e mallra këtu, të cilët bllokojnë korsinë për to!

Duhet rimenduar zgjidhja, edhe për trotuaret, edhe për këmbësorët, edhe për plehrat, edhe për shërbimet, edhe për shërbimmarrësit!”,  shkroi Braçe në një postim në rrjetet sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *