Kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, theksoi se institucioni që ai drejton nuk ka qenë pjesë e grupit të punës në lidhje me hartimin e Kodit të ri Penal.
Por Dumani është kundër disa pikave të këtij Kodi Penal, duke përmendur edhe rastin e personave që mbjellin dhe shesin lëndë narkotike.
Ai tha se në këtë aspekt duhet të ketë diferencim të dënimeve, pasi sipas tij nuk është logjike që dikush që dënohet për shitje ose mbjellje kanabisi të ketë të njëjtën masë si dikush që kapet me kokainë.
“Mendoj se debati që duhet të bëhej është i nevojshëm për një kod të ri penal, ose nëse ka nevojë për përmirësime të atij aktual. Mendoj se duhen bërë disa ndryshime për vepra penale që parashikojnë dënime të rënda. Një rast që më vjen ndërmend është prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike. Ka ardhur koha për një diferencim të dënimeve. Nuk mund të jetë i njëjti dënim, si për ata që kapen me kokainë, me kanabis apo drogat sintetike. Për mendimin tim, ata që kapen me drogat sintetike, dënimi duhet të jetë më i rëndë. Ka një draft të cilin ende nuk e kemi marrë zyrtarisht. Ne nuk jemi përfshirë në këtë draft. Kam ndjekur qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shumë gjëra bashkohem me të. Kur të na jepet zyrtarisht dhe të na kërkohet një qëndrim, do ta bëjmë.”, tha Dumani.









