Shumë njerëz e përjetojnë shpesh: ndihen të lodhur dhe gati për gjumë ndërsa rrinë ulur në divan, por sapo ngrihen për të shkuar në shtrat, ndjenja e përgjumjes zhduket.
Lisa Strauss, psikologe klinike në Boston dhe specialiste e çrregullimeve të gjumit, ka shpjeguar për Washington Post arsyet që qëndrojnë pas këtij fenomeni.
Sipas saj, vetëm procesi i ngritjes nga divani dhe kalimi në dhomën e gjumit mund të aktivizojë trurin dhe të largojë përgjumjen. Zakonisht nevojiten 10–20 minuta për t’u rikthyer ndjenja e gjumit, për aq kohë sa kushtet janë të favorshme, si errësira dhe qetësia.
Kjo ‘zhvendosje e menjëhershme’ është e kundërta e asaj që ndodh gjatë natës, kur inercia e gjumit, mjegulla mendore dhe prirja natyrore për të fjetur, na ndihmon të kthehemi sërish në gjumë.
Këshilla e Strauss: Shtrati duhet kërkuar që në momentin e parë të përgjumjes, jo vetëm kur sytë mezi qëndrojnë hapur. Në këtë mënyrë shmanget rifillimi i procesit, gjë që është veçanërisht e vështirë për ata që vuajnë nga pagjumësia.
Psikologia vëren se shumë pacientë e humbasin përgjumjen për shkak të rutinës së gjatë para gjumit. Shumë prej tyre lajnë dhëmbët nën dritë të forta, pastrojnë fytyrën, përdorin pika për sytë dhe ndërrohen me pizhamat pikërisht para se të shtrihen. Në këtë kohë, gjendja e përgjumjes është zhdukur.
Zgjidhja: Përgatitjet duhet të bëhen më herët, përpara se personi të relaksohet në divan. Në momentin e gjumit, nuk duhet të mbetet asnjë detyrë e vogël për t’u kryer.
Strauss thekson se një tjetër faktor është ‘ankthi i performancës’. Kur dikush që vuan nga pagjumësia shtrihet në shtrat, shpesh ushtron presion ndaj vetes për të fjetur sa më shpejt, gjë që vetëm sa e largon gjumin.
Në divan, ky presion nuk ekziston, pasi nuk pritet domosdoshmërisht të bjerë gjumi aty. Përgjumja, në këtë rast, vjen natyrshëm.
Këshilla e saj: Nuk është detyrë e askujt të flejë, ashtu si nuk është detyrë të ketë etje. Sipas Strauss, njerëzit nuk duhet të shqetësohen për orët e humbura të gjumit.
Sipas psikologes, njerëzit zakonisht nuk shtrihen thjesht në divan, por shohin televizor ose lexojnë, gjë që i ndihmon të çlodhen pas ditës. Në shtrat, ky element shpesh mungon, ndaj tranzicioni drejt gjumit bëhet më i vështirë.
Zgjidhja është që të gjendet një aktivitet relaksues për periudhën mes shtrirjes dhe rënies në gjumë. Kjo mund të jetë dëgjimi i një audio-libri ose një ushtrim i thjeshtë mendor. Qëndrimi online, edhe pse shpërqendron mendjen, nuk është relaksues dhe nuk ndihmon në gjumë.









