Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka miratuar brenda natës planin për ndërtimin e një zone që do të ndajë Jeruzalemin Lindor nga Bregu Perëndimor, duke i dhënë fund, sipas kritikëve, idesë së krijimit të një shteti palestinez.
Plani i njohur si ‘E1’, i ngrirë që nga viti 2012, parashikon ndërtimin e 3,401 banesave për kolonët izraelitë në një zonë që lidh Jeruzalemin me Bregun Perëndimor. Projekti nuk është miratuar ende nga kryeministri Benjamin Netanyahu, por në rast se kjo ndodh, priten reagime të ashpra nga ndërkombëtare.
Kujtojmë se ky plan ishte braktisur në vitin 2012 për shkak të kundërshtimeve nga SHBA-ja, vendet evropiane dhe fuqitë e tjera të mëdha.
Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga qeveria izraelite, ndërsa mediat vendase raportojnë se Smotrich, së bashku me partinë që drejton dhe që është në koalicion me Netanyahun, ka pësuar rënie të ndjeshme në sondazhet e fundit. Sipas tyre, me këtë nivel mbështetjeje, ai nuk do të siguronte asnjë vend në parlamentin izraelit.









