Eksperti i turizmit, Denis Dema, thekson se të metat e sektorit që ai mbulon janë: mungesa e hapësirave të plazhit publik, infrastruktura rrugore, transporti publik dhe siguria e plazheve.
Sipas tij, plazhi publik në të gjithë vijën bregdetare duhet të shtrihet në 80%.
“Plazh publik 80%, ku të kenë mundësi të gjithë ta shfrytëzojnë bregdetin tonë lehtësisht, dhe 20% të jenë në përdorim të strukturave hoteliere për klientelën. Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë turizëm me shazllongje; është tepër banale. Vende si Spanja, Italia, Greqia etj., kanë plazhet publike dhe vizitohen çdo vit nga miliona vizitorë, sepse rëndësi për ta ka se çfarë konsumon turisti në restorante, hotele, dyqane etj. Me pak fjalë, duhet të marrim shembull nga vendet që e dinë si bëhet turizmi,” tha Dema.
Ai shtoi se duhen investime serioze në infrastrukturën rrugore, pasi sipas tij nuk është normale që turistët të presin me orë të tëra në trafik.
“Duhet të përmirësojmë infrastrukturën rrugore, e cila lë shumë për të dëshiruar dhe çdo vit paraqet probleme, edhe sa i përket pjesës së trafikut. Nuk është normale që Tirana-Durrës të bëhet për 1 orë. Nëse duam që turizmi të zhvillohet, duhen bërë investime serioze në këtë drejtim,” u shpreh ai.
Dema shton se ‘kaosi’ në stacionet e urbanëve e dëmton imazhin e vendit dhe, sipas tij, kjo problematikë duhet të ketë një zgjidhje të shpejtë.
“Transporti publik qytetas dhe ndërqytetas është një problematikë që duhet ndrequr me patjetër. Autobusë të vjetruar, të pasigurtë dhe pa kondicioner nuk duhet të ketë më në asnjë qytet. E dëmtojnë keq imazhin e turizmit. Problem tjetër që duhet ndrequr është kaosi me stacionet e urbanëve, ku edhe ne që jetojmë në këtë vend e kemi të vështirë të orientohemi. Duhet të ketë një stacion të vetëm për urbanët ndërqytetas dhe linjat ndërkombëtare, ku të jetë lehtësisht i arritshëm dhe i gjetshëm nga vendasit dhe të huajt,” shton ai.
Eksperti thekson se jeta e pushuesve në bregdetin shqiptar rrezikohet nga motorët e ujit, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre shumë pranë plazheve.
“Qeveria duhet të punojë shumë më tepër për sigurinë në plazhe, ku nuk ka mjaftueshëm roje bregdetare dhe ndihma e shpejtë në shumë raste vonon. Problematike janë edhe mjetet ujore, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre shumë afër bregut, duke rrezikuar jetën e pushuesve, madje në disa raste kanë marrë edhe jetë njerëzish, si në vitet e kaluar, por edhe gjatë këtij viti. Masat duhet të jenë drastike, deri në heqjen e plotë të këtyre mjeteve,” thekson Dema.









