Kroacia dërgon në paraburgim pilotin e KFOR-it dhe të dashurën serbe, të dyshuar për spiunazh në Kosovë
Prokuroria kroate ka vendosur të dërgojë në paraburgim një pilot të Forcave Ajrore Kroate, pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë, dhe të dashurën e tij serbe, të dyshuar për spiunazh gjatë periudhës 2022–2025.
Sipas hetuesve, piloti kroat akuzohet se i ka përcjellë partneres së tij informacione konfidenciale mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës.
Dyshohet se e dashura e tij, e cila punonte si reportere dhe ndodhej në Kosovë përmes misionit të BE-së EULEX, i ka kaluar këto të dhëna Listës Serbe dhe autoriteteve në Beograd.
Hetuesit kroatë madje sugjerojnë se lidhjet e saj mund të kenë shkuar deri në zyrën e Kryeministrisë së Kosovës, duke siguruar informacione konfidenciale nga aty. Por këto pretendime u hodhën poshtë nga zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, i cili i quajti të pabazuara.
Vendimi i prokurorisë dhe reagimi i Kosovës
Prokuroria e Splitit vendosi që të dy të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe i ndikimit mbi dëshmitarët.
Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet kroate, duke theksuar se shkeljet për të cilat dyshohet janë kryer në territorin e saj.
Reagimi i presidentit kroat:
“Çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet ta kryejë detyrën ushtarake me nder, ndershmëri dhe në përputhje me ligjin. Nëse konstatohet ndonjë shkelje e ligjit apo e betimit ushtarak, ajo duhet të ndëshkohet në mënyrë të përshtatshme,” tha Milanoviq.









