Kreu i PD, Sali Berisha, përgjatë mbledhjes me Kryesinë, theksoi se Shqipëria ndodhet në një diktaturë autokratike.
Ai tha se media në vend nuk është e lirë, dhe sipas tij, kjo ndikon në keqinformimin tek qytetarët.
“Diktaturat totalitare, ata që e përjetuan thonë që kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë. Sepse diktatura totalitare përjashton pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton por e shtyp pluralizmin. Dhe është mizore në përqëndrimin e të gjitha pushteteve në një dorë.
Nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti tek punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2000 nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqëndrim pothuajse total i përkasin partisë shtet, partisë së krimit.
Jetojmë në një diktaturë autokratike. Pa media të lira nuk ka informacion. Qytetarët mashtrohen. Askush s’mund të gjykojë duke u nisur nga mjedisi rreth tij. Kur studimi tregon se audiencën e dominojnë ato media që në doktrinën e mashtrimit paraqesin disfatat për sukses, bëjnë gjithçka të përqëndrohen në çështje tretësore për të shmangur skandale.” tha Berisha.









