Vjeshtë e nxehtë gjeopolitike/ Perëndimi dhe Lindja përballë lojërave të rrezikshme

Tensionet ndërkombëtare po rriten në sfondin e luftës në Ukrainë, ndërsa Perëndimi dhe Lindja duket se po testojnë kufijtë e tyre me lëvizje gjithnjë e më të rrezikshme.

Komisioni Europian denoncoi ndërhyrje ruse në GPS-in e avionit që transportonte presidenten Ursula von der Leyen në Bullgari, akuzë që Moska e mohoi. Paralelisht, u ngrit shqetësimi për një përplasje në Baltik, pasi stërvitjet e NATO-s pritet të përkojnë me ato të Rusisë. Berlini paralajmëroi për një skenar të rrezikshëm përshkallëzimi.

Në BE, tensione sollën deklaratat e Von der Leyen për mundësinë e dërgimit të trupave europiane në Ukrainë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, reagoi ashpër duke theksuar se KE nuk ka mandat për një vendim të tillë dhe se debati publik mbi këtë çështje është ‘i gabuar’.

Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare vëmendja u përqendrua te samiti i Shangait (SCO), ku Rusia, India dhe Kina sfiduan Perëndimin duke denoncuar ‘shtrëngimet tregtare’ dhe duke refuzuar sanksionet ekonomike.

Ndërsa BE pret me ankth reagimin e presidentit amerikan për bllokimin e vazhdueshëm të Moskës, Donald Trump , sipas CNBC, nuk jep shenja se ka ndërmend të ndërmarrë hapa kundër Rusisë. Analistët thonë se kjo vonesë është e qëllimshme dhe e rrezikshme, pasi sa më shumë shtyhet, aq më shumë dobësohet pozicioni i tij dhe i SHBA-së.


Buxheti rus është nën presion të madh. Nëse do të vendoseshin sanksione serioze për tregtinë e naftës, gjë për të cilën është folur por nuk është bërë, kjo do ta rëndonte edhe më shumë. Por nuk ka ndodhur”, deklaroi për CNBC Chris Weafer, drejtor i Macro-Advisory në Moskë.
Sipas tij, pas hezitimit të Trump fshihen dy arsye: dëshira e tij të perceptohet si paqebërës dhe frika se mund ta shtyjë Rusinë edhe më afër Kinës.

Ekspertët paralajmërojnë se izolimi i Moskës mund ta lidhë më fort me Pekinin, duke i dhënë Kinës qasje pothuajse të pakufizuar në burime natyrore, teknologji ushtarake dhe hapësira strategjike si Arktiku.

Ndërkohë, Ukraina shprehet e zhgënjyer nga hezitimi i Trump për të ndëshkuar Putinin, pasi ai lejoi të kalonin pa pasoja afatet që vetë kishte vendosur për armëpushim.

Kievit dhe aleatëve europianë u mbetet të presin nëse Shtëpia e Bardhë do të marrë më në fund masat e ashpra të premtuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *