Mos e fajëso veten nëse nuk e nis dot ditën pa kafe, ja si të vlerëson shkenca

Një studim i ri në Britani, tregoi se si kafeina ndikon në plakje duke ‘shfrytëzuar’ një mekanizëm që lidhet me energjinë qelizore.

Kupa e kafesë që për ju është kaq e domosdoshme çdo mëngjes, nuk ju ofron vetëm energji për të përballuar ditën.

Sipas një studimi të ri nga studiues të Universitetit Queen Mary të Londrës dhe të Institutit Francis Crick, kafeina, substanca më stimuluese në botë, furnizon me energji edhe qelizat tuaja, duke ngadalësuar procesin e plakjes në nivel qelizor.

Kafeina është lidhur shpesh me përfitime të mundshme për shëndetin, përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjeve që lidhen me plakjen. Megjithatë, deri më sot, ka mbetur mister mënyra se si vepron brenda qelizave.

Studimi i ri, i botuar në revistën shkencore Microbial Cell dhe i bazuar në eksperimente me fission yeast (maja njëqelizore shumë e ngjashme me qelizat njerëzore), tregoi se kafeina ndikon në ngadalësimin e plakjes duke shfrytëzuar një sistem energjie qelizore.

Disa vite më parë, i njëjti grup kërkimor zbuloi se kafeina ndihmon qelizat të jetojnë më gjatë duke ndikuar një rregullator të rritjes që quhet TOR (Target of Rapamycin). TOR është një ‘çelës’ biologjik që u tregon qelizave kur të rriten, bazuar në disponueshmërinë e ushqimit dhe energjisë. Ky ‘çelës’ kontrollon reagimin ndaj energjisë dhe stresit tek organizmat e gjallë për më shumë se 500 milionë vjet.

Por në këtë studim u zbulua dhe diçka tjetër. Studiuesit bënë një zbulim të papritur, ku kafeina nuk vepron drejtpërdrejt mbi TOR, por funksionon duke aktivizuar një tjetër sistem të rëndësishëm, të quajtur AMPK, një sistem që lidhet me ‘karburantin’ e qelizave.

Çfarë është ‘Sistemi AMPK’?

Kur qelizat tuaja kanë mungesë energjie, sistemi AMPK aktivizohet për t’i ndihmuar të përballojnë këtë mungesë”, shpjegoi dr. Haralambos Rallis, autor kryesor i studimit, pedagog i asociuar në Genetikë, Gjenomikë dhe Biologji Qelizore në Universitetin Queen Mary. Ai shtoi: “Rezultatet tona tregojnë se kafeina ndihmon në ‘aktivizimin’ e këtij metabolizmi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *