Një top i zjarrtë drite përshkoi qiellin e Japonisë Perëndimore, duke habitur banorët dhe astronomët. Pamjet që qarkulluan në internet tregojnë fenomenin e rrallë që ndodhi të martën, pak pas orës 23:00 me orën lokale, dhe që ishte i dukshëm në një rreze prej qindra kilometrash.
“Një dritë e bardhë, që nuk e kisha parë kurrë më parë, ra nga qielli dhe u bë aq e ndritshme sa mund të shihja qartë konturet e shtëpive përreth,” tregoi për televizionin publik NHK Yoshihiko Hamahata, i cili në atë moment po ngiste makinën në prefekturën Miyazaki.
“Për një çast ishte si drita e ditës. Nuk po kuptoja çfarë po ndodhte dhe mbeta i habitur,” shtoi ai.
Ekspertët sqaruan se nuk bëhej fjalë për ndonjë vizitë jashtëtokësore, por për një fenomen natyror, një meteor tepër i shndritshëm, i njohur si sferë zjarrtare.
Toshihisa Maeda, drejtor i Muzeut Hapësinor të Sendait në prefekturën Kagoshima, u shpreh se meteori duket të ketë rënë në Oqeanin Paqësor.
“Disa njerëz raportuan se ndjenë dridhje të ajrit,” tha ai për Agjencinë Franceze të Lajmeve, duke shtuar se objekti qiellor ishte “po aq i ndritshëm sa Hëna”.
Sipas NASA-s, trupat qiellorë që krijojnë sfera të tilla zjarri mund të kenë diametër mbi një metër.









