Shpresë e re për personat me ‘aftësi të kufizuar’/ Ja pajisja revolucionare që përkthen mendimet

Një përpjekje e re kërkimore në SHBA ka sjellë përparim të rëndësishëm në teknologjinë e ndërfaqes tru–kompjuter (BCI), me zhvillimin e një implanti që është në gjendje të përkthejë mendimet në zë ose tekst me një saktësi mbresëlënëse.

Sipas sciencealert.com, bëhet fjalë për një dekodues të ‘të folurit të brendshëm’, i zhvilluar nga një ekip kërkuesish të fushave të ndryshme në SHBA. Në testimet me katër vullnetarë që vuajnë nga paraliza e rëndë, pajisja arriti një shkallë saktësie deri në 74% në përkthimin e mendimeve në fjalë.

Qëllimi i kësaj shpikjeje është të ndihmojë personat me probleme të të folurit apo lëvizjes. Megjithatë, sipas ekspertëve, sistemi kërkon ende përmirësime për të rritur saktësinë dhe personalizimin.

Deri më sot, shumica e BCI-ve bazoheshin në aktivitetin e trurit që gjenerohet kur një person përpiqet të flasë ose të shkruajë, edhe pse trupi nuk është në gjendje ta kryejë këtë veprim. Teknologjia e re shkon edhe më afër burimit të vetë mendimit.

Nëse mjafton të mendosh fjalët, në vend që të përpiqesh t’i shqipto-sh, kjo mund të bëhet më e lehtë dhe më e shpejtë për njeriun”, shprehet neuroshkencëtari Benyamin Meschede-Krasa nga Universiteti i Stanfordit.

Si funksionon

Implanti është ndërtuar për të matur aktivitetin nervor dhe për të identifikuar modele që lidhen me njësi të të folurit të quajtura fonema, të cilat më pas kombinohen për të formuar fjali.

Për dekodimin është përdorur inteligjenca artificiale dhe mësimi makinerik, që lidh sinjalet e trurit me fjalët që mendonin pjesëmarrësit. Vëmendja është përqendruar te korteksi motorik, pjesa e trurit që kontrollon lëvizjet, përfshirë edhe të folurin.

Studiuesit vunë re se ekzistonte ngjashmëri mes modeleve të trurit kur vullnetarët përpiqeshin të flisnin (që përfshin sinjale për lëvizjen e muskujve) dhe kur ata thjesht imagjinonin fjalë ose fraza.

Megjithëse këto sinjale ishin të ndryshme, ato mund të dalloheshin mes tyre. Duke përdorur llogaritje probabilistike, BCI i ri mund të identifikojë deri në 125.000 fjalë vetëm nga mendimi i brendshëm.

Këto modele ngjanin me një version më të vogël të atyre që gjenerohen gjatë përpjekjes për të folur”, thotë neuroshkencëtari Frank Ëillett nga Stanford.
Arritëm t’i dekodonim këto sinjale mjaftueshëm mirë për të provuar parimin, edhe pse jo me të njëjtën saktësi si gjatë përpjekjes për të folur.”

Aktualisht, shkalla maksimale e saktësisë prej 74% arrihet rrallë. Por, me avancimin e teknologjisë së implanteve dhe hartëzimin e më shumë zonave të trurit, studiuesit janë optimistë se sistemi do të përmirësohet ndjeshëm vitet e ardhshme.

Një tjetër sfidë lidhet me rrezikun e ‘leximit’ të monologëve të brendshëm që janë menduar të mbeten privatë, diçka jo e dëshirueshme në përdorimin e BCI. Për ta shmangur këtë, propozohet një ‘fjalëkalim mendor’ që aktivizon dhe ndalon dekodimin, i cili në testime dha saktësi deri në 98%.

Progresi në këtë fushë është i dukshëm. Vetëm pak muaj më parë u publikua një tjetër studim mbi dekodimin e mendimeve në kohë reale, megjithëse ishte i përshtatur vetëm për një individ.

E ardhmja e BCI-ve është premtuese,” thotë Willett. “Ky studim jep shpresë se një ditë sistemet e komunikimit përmes BCI do të jenë aq natyrale dhe rrjedhshme sa një bisedë e zakonshme.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *