Në prag të nisjes së parlamentit të ri për katër vitet e ardhshme, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, avokati Genc Gjokutaj ka dhënë komentin e tij.
Ai tha se socialistët nuk festuan fitoren në zgjedhjet e 11 majit, pasi sipas tij u vjen turp për rezultatin e manipuluar.
Gjokutaj theksoi se mazhoranca socialiste do të hyjë në parlament si një forcë politike ku, sipas tij, gjysma e partisë ndodhet në burg.
“Shkeljet ishin skandaloze dhe sërish Komisioni Rregullator e njohu rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. U cënua liria e zgjedhjes së individit. Janë vrarë zgjedhjet e lira. Thellësia e rezultatit ka brenda manipulimin, është votuar për certifikimin e “11 majit”, 3:2 sepse nuk mund të certifikohen zgjedhje të tilla. Zgjedhjet nuk u festuan, sepse sa duket ka socialistë që iu vjen turp për atë që ka ndodhur. Ju e dini se Celibashi është eksponent pranë Partisë Socialiste dhe u certifikuan zgjedhjet e deformuara.
PS ka gjysmën e partisë në burg për korrupsion, kemi korrupsion galopant, që përditë kërcet. Këta e thanë saktë rezultatin zgjedhor, si ka mundësi nga e dinin? Opozita s’duhet t’i njohë zgjedhjet. Shkuarja në parlament nuk do të thotë se opozita njeh zgjedhjet, por thjesht ti po lufton edhe jashtë parlamentit, edhe brenda Kuvendit. Djegia e mandateve i krijoi dëm opozitës. Beteja duhet bërë edhe në mënyrë institucionale, sepse kështu merr edhe vëmendje nga ndërkombëtarët dhe i jep puls jetës opozitare e parlamentare.”, tha ai.









