Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me homologun e tij kinez Xi Jinping në Pekin javën e ardhshme, në kuadrin e një samiti për sigurinë.
Burimet pranë Kremlinit dhe Pekinit, theksojnë se Putin është i ftuari kryesor i Xi Jinping.
Presidenti rus do të qëndrojë në Kinë, partnerin më të madh tregtar të Rusisë, nga 31 gushti deri më 3 shtator, tha për gazetarët këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, duke theksuar se një udhëtim katërditor i këtij lloji është shumë i rrallë për liderin rus.
Dy ditët e para do t’i kushtohen një samiti të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i cili zhvillohet në qytetin Tianjin.
Më pas, Ushakov tha se Putin pritet të udhëtojë drejt Pekinit, ku do të zhvillojë bisedime me Xi-në dhe do të marrë pjesë në paradën ushtarake në Sheshin Tiananmen më 3 shtator, për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore pas dorëzimit zyrtar të Japonisë.
Ushakov deklaroi se Putin do të marrë pjesë si ‘i ftuari kryesor’ dhe do të ulet në të djathtën e Xi-së, ndërsa Kim Jong Un i Koresë së Veriut do të ulet në të majtën e tij.
Putin do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë që do të jenë në Kinë në të njëjtën kohë, tha Ushakov.
Ndër këta liderë do të jenë kryeministri indian Narendra Modi, presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
Takimi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ende nuk është konfirmuar, por është në diskutim, shtoi Ushakov.
Delegacioni rus do të përfshijë disa zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrei Belousov, guvernatoren e Bankës Qendrore Elvira Nabiullina, këshilltarin e Kremlinit Yuri Ushakov, drejtorin ekzekutiv të Gazprom, Alexei Miller, si dhe drejtuesit e bankave dhe kompanive më të mëdha ruse.
Tre dokumente që lidhen me Gazprom-in pritet të nënshkruhen në Kinë, tha Ushakov, duke shtuar se nuk mund të zbulojë më shumë detaje mbi këtë çështje.
Tregtia Rusi-Kinë, e cila u rrit në nivele rekord ndërsa lufta në Ukrainë e la Moskën të izoluar, aktualisht po shënon rënie, një prirje që Putini synon mos preket më nga sanksionet e perëndimit, thanë tre burime ruse për Reuters përpara vizitës.









