‘Qeveria Rama IV’/ Cilat janë figurat e opozitës që mund t’i bashkohen kabinetit të ri?

Më 11 shtator, Asambleja e PS pritet të bëjë publik kabinetin e ri qeveritar, ku mediat e emërtojnë qeveria ‘Rama 4’.

Pritshmëritë për ndryshime në qeveri janë të mëdha, por edhe shoqërohen me spekulime të shumta mbi përfshirjen e figurave jashtë kampit socialist.

Ndryshimet në qeveri mund të jenë të mëdha, ku shoqërohen spekulime për përfshirjen e figurave të cilët janë jashtë kampit socialist.

Kandidati i PD për deputet në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, nuk përjashton që në kabinetin e ri të Edi Ramës të përfshihen figura të lidhura me opozitën, si dhe me bindje të djathta.

Unë mendoj që edhe eksponentë të caktuar ndoshta të opozitës apo djathtas mund të kalojnë me qeverinë. Kjo ka ndodh nëpër bashkitë e Shqipërisë dhe nuk do jetë ndonjë lajm. Por pyetja ime e madhe është cili do jetë metri i Ramës për të vlerësuar njerëzit që do përfshijë në kabinet,”, tha Kalaja.

Sipas tij, më parë ministrat ishin figura me bazë politike dhe mbështetje elektorale, ndërsa sot duket se kryeministri mund të ndjekë një logjikë tjetër, duke u fokusuar tek profile të tjera.

Kalaja shtoi se pret me interes të shohë se cilët kandidatë do shpallen më 11 shtator, pasi beson se Rama do të zgjedhë emra që kanë pasur mbështetje të lartë përmes votës preferenciale.

Por përtej reagimeve të zyrtarëve të opozitës, në rrjetet sociale po qarkullojnë thashetheme të tjera që i japin një dimension edhe më të debatueshëm kabinetit të ri.

Demokrati i njohur në TikTok, Ilir Vrenozi, i cili shpesh ironizon politikën shqiptare, ka shpërndarë disa statuse që kanë tërhequr vëmendje. Në to ai sugjeron, pa asnjë konfirmim zyrtar, se Rama mund të përfshijë në kabinet emra të spikatur nga e djathta.

Në 11 shtator do të kemi një surprizë. Ministri i Ekonomisë mund të jetë Ridvan Bode. Po çfarë surprize ka këtu? Edhe sikur ta vendosë, Bode ka vite që punon në Bankën e Shqipërisë, pra është i përgatitur për Ramën,” shkruan Vrenozi me ironi.

Ai shton më tej se ftesa për t’u bërë pjesë e qeverisë i është bërë edhe ish-presidentit Bamir Topi, si dhe shkrimtarit dhe politikanit Preç Zogaj.

Sipas tij, Rama ka tentuar madje të përfshijë edhe Andi Mustafajn, djalin e ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj. “Do ishte humbje e madhe, sepse Andi është aset i PD-së, super djalë i përgatitur,”, thekson Vrenozi.

Edhe pse këto pretendime duken më shumë si spekulime apo lojëra me publikun, ato kanë treguar në të shkuarën se mund të bëhen realitet, ku shumë figura si të LSI dhe PD kanë qenë ose janë pjesë e maxhorancës socialiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *