Kryeministri, Edi Rama, ka propozuar se tashmë është koha për të pasur një Parlament më të vogël me më pak deputetë, ndërkohë që aktualisht Parlamenti ka 140 deputete dhe duhet ndërhyrje në Kushtetutë për ndryshimin e numrit.
Rama në deklaratën tij në Asamblenë e PS, tha se Parlamenti duhet të ketë 101 deputetë madje sipas tij edhe më pak nëse do të jetë e nevojshme.
“Elisa, Niko, Taulanti me Majlindën, Ardean e disa deputetë të tjerë kishin për detyrën hartimin e një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare. Ata kanë analizuar ecurinë, strukturën dhe programin e kuvendit ndër vite. Si dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit të strukturës së Kuvendit me strukturën e procesit të negociatave.
Paraprakisht dua të mbroj disa mendime. Së pari në më shumë se 3 dekada, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione, ndër të cilat edhe për Kuvendin e Shqipërisë. Tepria e numrit të deputetëve.
Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum, do kishte vetëm impakt pozitiv. Prandaj ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë”, u shpreh Rama.