Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë në PD, Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News 24 theksoi se reforma zgjedhore është e gabuar, ku sipas tij, nuk ekziston ‘demokracia e drejtpërdrejtë’.
“Nuk ishte lodhje e madhe. Fushata ka dy elemente kyçe, orare të zgjatura dhe puna intensive me njerëzit. Të dyja elementë që janë gjerësisht te puna e çdo mjeku. Ishte një largësi kohore për familjen, por ishte vetëm një periudhë dhe është gjendur mirëkuptim nga ai drejtim. Por duhet ta shikosh nga afër që ta shohësh se çfarë do të thotë reformë zgjedhore e gabuar”, tha Alimehmeti.
Alimehmeti theksoi se votuesit janë të zhgënjyer nga sistemi aktual zgjedhor, pasi sipas tij, nuk ka një deputet që përfaqëson drejtpërdrejt një zone.
“Jo, personalisht asnjë zhgënjim. I falënderoj shumë mbi 18 mijë votuesit, ky nuk është zhgënjim, problemi është se mjeshtrat e sistemit zgjedhor zhgënjyen votuesit. Kjo është një lloj strategjie që zgjedhin këto lloj mjeshtrash për t’i larguar gradualisht të zgjedhurit nga zgjedhësit dhe për t’i bërë njerëzit gjithmonë e më pak të interesuar për politikën, duke i bërë të pavlefshëm, sepse në fund ne e dimë vetë se si i mbyllim këto gjëra. Çdo palë zgjedhje kemi një reformë zgjedhore edhe më të keqe. Jemi larguar nga demokracia e drejtpërdrejtë. Sepse pyetja e parë që më drejtohej ishte: A je kandidat për deputet i zonës? Sot ne mund të flasim vetëm për deputet qarku, jo zone“, shtoi ai.