Lojtari i kombëtares, Rei Manaj, pas largimit nga Sivasspor drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ka lënë një mesazh emocionues për tifozët e ish-skuadrës së tij.
Manaj ka shprehur një falënderim të sinqertë për tifozët e Sivassporit, të cilët sipas tij, e kanë mbështetur si në ditët e vështira ashtu edhe në ato të mira, gjatë rrugëtimit të tij dyvjeçar me ekipin turk.
“Tifozët e mi të dashur të Sivassporit, tani ju jeni më shumë se thjesht tifozë – jeni familja ime, dhe do të jeni gjithmonë. Kemi ndarë momente vërtet të veçanta, që askush nuk mund t’i marrë dhe askush nuk mund t’i njollosë ato që kemi arritur. Unë gjithmonë kam preferuar të mos flas shumë, edhe në momentet më të vështira, për hirin tuaj dhe dashurinë tuaj pa kushte. Kam përpirë shumë gjëra që nuk janë bërë siç duhet ndaj meje, por ky nuk është momenti për to. Thjesht dijeni se kam qenë besnik ndaj jush nga dita e parë deri në të fundit – dhe do të jem gjithmonë. 34 gola dhe 11 asiste në dy sezone, gëzimet tona së bashku… T’ju shihja të lumtur ka qenë gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Faleminderit për gjithçka – nuk do t’ju harroj kurrë ju dhe familjen time.” shkroi Manaj në një postim në Instagram.









