SHBA dërgon flotën ushtarake në brigjet e Venezuelës/ Përplasje e re Trump-Maduro?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar dislokimin e një armade amfibe pranë brigjeve të Venezuelës, duke përfshirë tre shkatërrues me raketa dhe tre anije të mëdha amfibe me helikopterë, ku ndodhen 2.200 deri në 4.000 marinsa.

Sipas burimeve të Reuters dhe AFP, vendimi i Trump është marrë në kuadër të fushatës së tij kundër ‘trafikut të drogës’, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit kanë arritur nivele të larta.

Prej vitesh, SHBA dhe Venezuela gjenden në një konflikt të hapur. Tashmë Trump e ka rritur edhe më tej presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro, në fillim të gushtit, Uashingtoni dyfishoi në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e tij nën akuzën e ‘trafikut ndërkombëtar të drogës’.

Burime të Reuters nënvizojnë se anijet USS San Antonio, USS Iëo Jima dhe USS Fort Lauderdale, me rreth 4.500 trupa ushtarake amerikane në bord, përfshirë 2.200 marinsa, pritet të  mbërrijnë në rajon deri të dielën. Ndërkohë, të paktën tre shkatërrues të tjerë me sistemin raketor Aegis, USS Gravely, USS Jason Dunham dhe USS Sampson, si edhe një nëndetëse, janë urdhëruar të vendosen pranë brigjeve venezuelane.

Në total, sipas mediave amerikane, afërsisht 4.000 marinsa pritet të pozicionohen në rajon.

Qeveria amerikane nuk e njeh fitoren e Nicolas Maduro në zgjedhjet presidenciale të korrikut 2024, të cilat opozita i ka kontestuar, duke e akuzuar atë si ‘udhëheqës të një karteli ndërkombëtar të trafikut të drogës’.

Të martën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi qeverinë venezuelane si një ‘kartel narko–terrorist’ dhe Maduro si një ‘kriminel në arrati’.

Ajo shtoi se Trump është i gatshëm të përdorë ‘të gjitha mjetet’ për të ‘penguar drogën të depërtojë në SHBA.

Nga ana tjetër, Maduro reagoi ashpër, duke e quajtur vendimin amerikan për rritjen e shpërblimit ndaj tij një ‘propagandë të trashë politike’.

Ai njoftoi se Venezuela do të përgjigjet duke dislokuar 4,5 milionë trupa të rojës kombëtare për të ‘mbuluar të gjithë territorin’.

Roja kombëtare, e krijuar nga ish-presidenti Hugo Chávez, numëron sot rreth 5 milionë anëtarë, qytetarë dhe rezervistë, dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të ushtrisë venezuelane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *