Një studim i ri në Suedi tregon se njerëzit që arrijnë të jetojnë deri në 100 vjet, kanë një aftësi të veçantë ‘mbinjerëzore’.
Kjo aftësi është që këta persona shmangin ose vonojnë shfaqjen e sëmundjeve serioze.
Dy studime e mëdha, që analizuan dekada të tëra të dhëna mjekësore, tregojnë se këta qindvjeçarë jo vetëm jetojnë më gjatë, por kalojnë më shumë vite me shëndet të mirë, duke sfiduar idenë e zakonshme që jetëgjatësia shoqërohet domosdoshmërisht me periudha të gjata të dobësisë fizike.
Studimi i parë, botuar në 2023, analizoi të dhënat mjekësore të 170,787 personave të lindur midis 1912 dhe 1922 në Stokholm, sipas Daily Mail.
Pjesëmarrësit u ndoqën deri në 40 vjet, nga mosha 60 deri në vdekje ose deri në 100 vjet. Rezultatet treguan se qindvjeçarët kishin më pak sëmundje serioze, si goditje në tru dhe probleme të zemrës, edhe në moshë të madhore. Për shembull, në moshën 85 vjeç, vetëm 4% kishin pësuar goditje në tru, krahasuar me 10% të bashkëmoshatarëve që vdiqën para 100 vjetëve.
Studimi i dytë, botuar në 2024, hulumtoi 40 sëmundje të ndryshme, nga të lehta deri te ato serioze, si hipertensioni, diabeti dhe insuficienca kardiake. Në këtë analizë përfshiheshin 274,108 persona të lindur midis 1920 dhe 1922, të cilët u ndoqën për tre dekada. Vetëm 4,330, ose 1.5%, arritën në 100 vjeç. Edhe me këtë gamë më të gjerë sëmundjesh, ‘qindvjeçarët’ kishin shifra më të ulëta dhe zhvillimi i sëmundjeve ishte dukshëm më i ngadaltë.
Një nga gjetjet më të spikatura ishte se sëmundjet kardiovaskulare, megjithëse më të zakonshmet në të gjitha moshat, ishin shumë më të rralla tek qindvjeçarët. Në moshën 80 vjeç, vetëm 8% kishin një diagnozë të tillë, krahasuar me mbi 15% të atyre që vdiqën në 85 vjet. Gjithashtu, ata treguan më shumë rezistencë ndaj sëmundjeve neuropsikiatrike, si depresioni dhe dementia.
Një model i veçantë ishte mënyra se si shfaqeshin problemet shëndetësore. Tek shumica e njerëzve, vitet e fundit të jetës shoqërohen me përkeqësim të shpejtë. Tek qindvjeçarët, përkeqësimi ishte gradual dhe shfaqej shumë më vonë, rreth moshës 89, duke u lejuar të shijonin një cilësi më të mirë jetese edhe në të 90-tat.
Profesoresha Karin Modig, drejtuesja e grupit hulumtues në Karolinska Institutet, tha se ky zbulim është ‘e jashtëzakonshme dhe inkurajuese’, pasi tregon se është e mundur të plakemi më ngadalë se zakonisht. Arsyeja e kësaj rezistence nuk është ende e qartë. Faktorë të mundshëm përfshijnë gjenet, zakonet e shëndetshme dhe mjedisin, ndoshta në kombinim.
Hulumtimi vazhdon për të zbuluar mekanizmat e saktë që i lejojnë këta njerëz të shmangin sëmundjet. Synimi nuk është vetëm jetëgjatësia, por jetëgjatësia me shëndet.









