Një ekip ndërkombëtar studiuesish që analizoi qindra video në YouTube zbuloi se kafsha më popullore e botës macja, preferon të shtrihet në anën e majtë, një pozicion që e ndihmon të shpëtojë më lehtë në rast rreziku.
Të gjitha kafshët janë të pambrojtura gjatë gjumit, ndërsa macet kalojnë deri në 65% të kohës duke fjetur. Ky është edhe shkaku pse ato zgjedhin shpesh vende të larta, ku grabitqarët nuk mund t’i arrijnë.
Studimi, i botuar në revistën Current Biology, shqyrtoi 408 video origjinale amatore dhe konstatoi se në dy të tretat e rasteve macet shtriheshin në anën e majtë.
Nëse zgjohen nga ndonjë tingull i dyshimtë, macet që flenë të mbledhura në anën e majtë perceptojnë ambientin me fushën e tyre pamore të majtë, ndërsa ajo e djathta mbulohet nga trupi. Kjo pjesë e fushës pamore lidhet me hemisferën e djathtë të trurit, e cila është e specializuar për perceptimin e hapësirës, zbulimin e kërcënimeve dhe koordinimin e lëvizjeve të shpejta për t’u larguar.
Sipas studiuesve, kjo prirje për të fjetur në anën e majtë është një strategji mbijetese.
“Asimetria e sjelljes mund të ofrojë avantazh, pasi dy hemisferat e trurit janë të specializuara për funksione të ndryshme”, theksojnë ata.









