Një tifoz i Liverpoolit me aftësi të kufizuara, i cili ofendoi në mënyrë raciste lojtarin e Bournemouth, Antuan Semenio, është arrestuar.
Ky lajm u bë i ditur nga njoftimi i policisë së Merseyside, pasi lojtari i Bournemouth e kishte kallëzuar penalisht tifozin.
Gjatë ndeshjes, Semenio shkoi për të kryer një rivënie anësore, dhe tifozi iu afrua duke e sulmuar me fjalë, diçka që Semenio e përcolli te stoli i ekipit.
Stafi i Bournemouth informoi gjyqtarin Anthony Taylor se Antuan Semenio ishte objekt i një komentimi racist. Pas një përplasjeje të shkurtër, Taylor ndaloi ndeshjen për disa minuta për t’u shpjeguar të dyja ekipeve çfarë kishte ndodhur, para se ndeshja të vazhdonte normalisht.
Semenio i tha gjyqtarit se ishte sulmuar racialisht, dhe Anthony Taylor menjëherë ndaloi ndeshjen për pak minuta gjatë pjesës së parë, për të dhënë shpjegime te të dy trajnerët, te kapitenët, si dhe për të bërë një njoftim përmes altoparlantëve.
Policia ndërhyri menjëherë dhe largoi tifozin e Liverpool nga Anfield. Pavarësisht ngjarjes, Semenio nuk u dorëzua dhe madje shënoi dy gola, duke barazuar për ekipin e tij 2-2, para se Liverpool të përgjigjej në minutat e fundit.
Pas ndeshjes, Semenio shkroi në Instagram duke pyetur: “Kur do të ndalojë kjo?”, pasi një tifoz kishte postuar poshtë njërit nga fotot e tij një emoji të majmunit.
I zemëruar për ngjarjen ishte edhe kapiteni i Bournemouth, Adam Smith, duke folur për Sky Sports:
“Është plotësisht e papranueshme, jam i tronditur që ndodhi diçka e tillë në këtë kohë. Nuk e di si vazhdoi Antuani dhe shënoi dy gola. Më vjen shumë keq.
U ndjeva i zemëruar dhe i thashë gjyqtarit se tifozi i Liverpoolit duhet të largohej menjëherë, dhe policia e zgjidhi situatën. Lojtarët e Liverpool e mbështetën Antuanin. Kemi pasur biseda me Premier League për këtë dhe po e marrin seriozisht këtë çështje. Nuk e di çfarë tjetër mund të bëjmë.”









