Sulmet izraelite nuk kursyen 5 gazetarët në Gaza, reagon shtypi ndërkombëtar

Pesë gazetarë, disa prej të cilëve bashkëpunonin me Al Jazeera, Reuters dhe Associated Press, u vranë mëngjesin e sotëm nga sulmet izraelite që goditën një spital në jug të Rripit të Gazës, duke shkaktuar gjithsej 20 viktima, sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile palestineze. Pas lajmit për vrasjen e gazetarëve, Unioni i Shtypit të Huaj në Jerusalem (FPA) kërkoi ‘sqarime’ nga autoritetet izraelite.

Rrjetet Al Jazeera, Reuters dhe Associated Press shprehën përmes deklaratave të tyre trishtimin për humbjen e bashkëpunëtorëve të tyre.

Ushtria izraelite pranoi se kishte goditur ‘zonën e spitalit Naser’ dhe njoftoi se ka hapur hetim. Duke shprehur keqardhje për ‘çdo dëm ndaj personave të painvolvuar’, theksoi se ‘nuk synon gazetarët’.

Zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës, Mahmoud Basal, rishikoi në rritje bilancin, duke raportuar 20 të vdekur, mes tyre ‘pesë gazetarë’ dhe një pjesëtar i Mbrojtjes Civile.

Sipas tij, spitali u godit dy here, fillimisht nga një dron me eksploziv dhe më pas nga një bombardim ajror, në momentin që po evakuoheshin të plagosurit.

Për shkak të kufizimeve që Izraeli u imponon mediave në Gaza dhe vështirësive të qasjes në terren, AFP thekson se nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat dhe deklaratat e asnjërës palë.

Al Jazeera konfirmoi vrasjen e fotoreporterit të saj, Mohamed Salama, dy javë pasi humbi edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë gjatë një goditjeje izraelite.

Tel Avivi e kishte akuzuar njërin prej tyre se ishte pjesëtar i armatosur i Hamasit – një pretendim që grupi palestinez e kishte mohuar.

Reuters njoftoi për vdekjen e bashkëpunëtorit të saj Hossam al Masri dhe plagosjen e një tjetri, Hatem Khaled, gjatë bombardimeve mbi spitalin ‘Naser’.

Nga ana tjetër, Associated Press shprehu dhimbjen për humbjen e Maryam Daga, 33 vjeçe, fotoreportere e pavarur që bashkëpunonte me agjencinë prej fillimit të luftës. Ajo nuk ishte me detyrë për AP në momentin e sulmit.

Sindikata e gazetarëve palestinezë konfirmoi gjithashtu se ndër viktimat ishin edhe Moaz Abu Taha dhe Ahmad Abu Aziz. Sipas një gazetari të AFP në Gaza, ky i fundit punonte për media vendore dhe ndërkombëtare.

Para këtyre zhvillimeve, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dhe Reporterët pa Kufij (RSF) kishin regjistruar gati 200 gazetarë të vrarë që prej shpërthimit të luftës në Gaza, pas sulmit masiv të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Ndër viktimat e sulmit të sotëm ishte edhe një infermier, ndërsa dhjetëra të plagosur po marrin trajtim në spitalin ‘Naser’, një nga të paktat struktura shëndetësore që ende funksionon pjesërisht në Rripin e Gazës, pavarësisht se është goditur disa herë nga sulmet izraelite.

Sipas Mbrojtjes Civile, vetëm sot pasdite janë regjistruar gjithsej 28 të vrarë nga bombardimet në gjithë Rripin e Gazës, një territor i vogël bregdetar i shkatërruar nga gati dy vite lufte që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe një katastrofë humanitare.

Ndërkohë, Unioni i Shtypit të Huaj në Jerusalem (FPA) deklaroi: “Jemi të tronditur dhe të indinjuar. Nuk pati asnjë paralajmërim përpara këtyre sulmeve”.

Organizata kërkoi “sqarime të menjëhershme” nga ushtria izraelite dhe zyra e kryeministrit, duke i bërë thirrje Izraelit të ndalë ‘veprimeve të papranueshme të vënies në shënjestër të gazetarëve’, ndërsa theksoi se ‘shumë gazetarë janë vrarë në Gaza pa asnjë justifikim’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *