Konsumimi i kanellës është përgjithësisht i sigurt dhe sjell përfitime për shëndetin, por abuzimi me të mund të shkaktojë probleme serioze. Efektet e saj varen jo vetëm nga sasia, por edhe nga lloji i kanellës, si kanelja e Ceilanit apo ajo e Kasias, dhe pjesa e përdorur të bimës, si lëkura apo rrënjët.
Kanella e ‘Kasias’ përmban një substancë të quajtur kumarinë, e cila në doza të mëdha mund të dëmtojë mëlçinë. Megjithatë, nivelet e zakonshme të kësaj substance rrallë shkaktojnë dëmtime, përveç në raste të veçanta, sidomos te personat me sëmundje hepatike.
Janë raportuar raste të inflamacionit të mëlçisë (hepatitit) në persona që marrin suplementë kanellë në kombinim me statina. Për më tepër, përdorimi i zgjatur i kanellës në formën e karameleve, çamçakëzëve apo pastave të dhëmbëve mund të shkaktojë plagë në gojë.
Në industrinë ushqimore, janë shënuar raste të dermatitit nga kontakti me kanellën, që manifestohet me kruarje dhe skuqje të lëkurës. Edhe pirja e çajit me kanellë në sasi të mëdha apo përdorimi i supozitorëve me vaj kanelle kanë shkaktuar irritime të lëkurës.
Në disa raste të rralla, mund të ndodhë edhe alergji ndaj kanellës. Simptomat përfshijnë lotim sysh, teshtima, kollë, skuqje, probleme të stomakut, ënjtje, dhimbje në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje, deri në reagime alergjike serioze (anafilaaksi).
Një përbërës tjetër i kanellës, kinnamaldehidi, ndikon në mënyrën se si organizmi metabolizon disa medikamente, duke ulur efektivitetin e tyre. Lëkura e kanellës Kasia përmban edhe sasi të larta kumarine, që vepron si anticoagulant, një rrezik i mundshëm për ata që marrin medikamente për hollimin e gjakut.
Konsumimi i moderuar i kanellës është i sigurt për shumicën, por sasi të mëdha mund të ndërveprojnë me:
-Medikamente që përpunohen nga enzimat CYP450 (2A6, 2C9, 2D, 3A4)
-Statina
-Pioglitazon (medikament për diabetin)
Për disa persona, teprimi me kanellën shkakton shqetësime të traktit tretës si dhimbje stomaku, urth, nauze, kapsllëk apo diarre.
Një tjetër problem është rreziku nga thithja e pluhurit të kanellës, që mund të shkaktojë kollë, të vjella, djegie në gojë dhe frymëmarrje.
Personat me astmë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, pasi thithja aksidentale mund të çojë në inflamacion të mushkërive, pneumoni apo madje kolaps të mushkërive, gjendje që mund të jetë kërcënuese për jetën.









