Kanë mbetur pak më shumë se 24 orë për takimin mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, dhe kërkesat e secilit mund të japin një pasqyrë se çfarë do të diskutohet dhe, ndoshta, do të arrihet marrëveshje nesër.
Putin qëndron i palëkundur në synimin për të mbajtur kontrollin mbi territoret ukrainase, ndërsa Trump paraqitet si ndërmjetës dhe ‘paqebërës’ ndërkombëtar. Por përtej çështjes së Ukrainës, të dy udhëheqësit mund ta shohin samitin si një mundësi për qëllime të tjera, thekson BBC në një raport, duke cituar vlerësimet e dy reporterëve me përvojë.
Reporter i medias britanike në Moskë, Steve Rosenberg, vlerëson se basti për Putin është njohja ndërkombëtare, të cilën ai e konsideron të fituar tashmë përmes samitit SHBA-Rusi që do të zhvillohet nesër në orën 21:30, sipas orës shqiptare.
Vetë takimi dhe konferenca e përbashkët për shtyp i japin Kremlinit argumentin se përpjekjet perëndimore për izolimin e Rusisë kanë dështuar dhe se vendi është rikthyer në nivelet më të larta në arenën ndërkombëtare.
Zgjedhja e Alaskës për samitin shihet si strategjike. Afërsia gjeografike me Çukotkën ruse ofron siguri në lëvizje, pa nevojën për të kaluar ajrin e ‘shteteve armiqësore’, ndërsa distanca nga Ukraina dhe Europa lejon shmangien e Kievit dhe BE-së në negociata, madje edhe në nivel simbolik. Moska shfrytëzon gjithashtu vendndodhjen e samitit dhe simbolikën historike të shitjes së Alaskës nga Rusia për SHBA-të në shekullin e 19-të, si shembull i ndryshimit të kufijve dhe pronësisë së territoreve të mëdha.
Përtej njohjes ndërkombëtare, Putin synon edhe fitore.
Ai kërkon që Rusia të mbajë të gjitha territoret që ka pushtuar në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, ndërsa kërkon tërheqjen e Ukrainës nga zonat që mbeten nën kontrollin e saj. Ukraina refuzon kategorikisht këtë skenar, me Zelensky-n që deklaron se nuk do të dorëzojnë tokë te pushtuesi.
Kremlini mund të llogarisë se, nëse siguron mbështetjen e Trump, refuzimi i Ukrainës mund të bëjë që presidenti amerikan të ndalë ndihmën për Kievin, duke lejuar Moskën dhe Uashingtonin të zhvillojnë marrëdhënie dhe bashkëpunime ekonomike.
Megjithatë, ekonomia ruse është nën presion, me deficit fiskal në rritje dhe të ardhurat nga nafta dhe gazi në rënie. Nëse këto probleme shtyjnë Putin të përfundojë luftën, mund të ketë një kompromis. Por për momentin, Moska insiston se mban iniciativën në terren dhe nuk duket e ndikuar nga presionet ekonomike.
Ndërkaq, reporter i BBC-së në SHBA, Anthony Zurcher, vëren se Trump kishte premtuar në fushatën e tij për 2024 që përfundimi i luftës në Ukrainë do të ishte i shpejtë dhe mund të arrihej brenda disa ditësh. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, qëndrimi i tij ndaj ukrainasve dhe rusëve ka ndryshuar disa herë.
Në shkurt ai kritikoi Zelensky-n në një takim në Shtëpinë e Bardhë dhe pezullonte përkohësisht ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacioneve. Më pas u duk se afrohej me qëndrimin e Kievit. Muajt e fundit, edhe pse ka kritikuar ‘kokëfortësinë’ e Putinit dhe sulmet ndaj objektivave civile, ka vendosur disa herë afate për sanksione të reja ndaj Rusisë, të cilat më pas nuk i ka zbatuar.
Tani ai mikpret presidentin rus në tokën amerikane dhe flet për ‘ndryshim territori’, diçka që Kievit i frikësohet se mund të nënkuptojë dhënien e pjese të Ukrainës në këmbim të paqes.
Takimi i Alaskës është i rrethuar nga pasiguria, pasi Trump ka ulur pritshmëritë, duke e quajtur veten ‘hetues’ dhe ka deklaruar se do të vendosë në dy minutat e para nëse ka perspektivë për marrëveshje. Ai lë të hapur mundësinë të largohet pa rezultat.
Para samitit, Zelensky dhe liderë evropianë kanë komunikuar ditën e djeshme me Trump, për të penguar një marrëveshje me Putin që Ukraina nuk do të pranojë. Megjithatë, është e qartë se Trump do të shfrytëzonte mundësinë të paraqitej si njeriu që përfundoi luftën. Ai nuk e fsheh ambicien për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, sipas Zurcher.
Nëse në bisedime shfaqet mundësia për të pretenduar progres drejt paqes, Trump me gjasë do ta shfrytëzojë, dhe Putin mund të gjejë mënyrën ta lejojë, me kushtet e tij, theksoi reporter i BBC-së.









