‘Turizmi në gjendje katastrofike‘/ Eksperti: 70% e plazheve janë uzurpuar, ja çfarë më tha një turiste spanjolle

Eksperti i turizmit, Denis Dema, deklaron se një nga arsyet kryesore për rënien e numrit të turistëve këtë vit lidhet me mënyrën si menaxhohen plazhet dhe mungesën e një strategjie të qartë për turizmin.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që ndan plazhet shqiptare në 70% privat dhe vetëm 30% publik është një ndër goditjet më të mëdha për të drejtën e qytetarëve dhe turistëve për të aksesuar detin. Plazhet janë kthyer në territore të uzurpuara nga koncesionarë që shesin shezllone në çmime stratosferike, pa ofruar shërbim apo siguri. Turistët e huaj nuk e kuptojnë këtë logjikë.”, tha Dema.

Ai sjell si shembull edhe rastin e një vizitoreje nga Spanja, e cila ishte habitur kur ju kërkua pagesë vetëm për mjedisin, pa përfshirjen e shërbimit.

Një vizitore nga Majorka, Spanjë u shpreh se nuk i bënte sens të paguante për një vend në rërë, kur deti është një pasuri natyrore që duhet të jetë falas për të gjithë. Në vendet europiane, pjesa private e plazhit zakonisht përdoret për bare apo restorante, dhe shezlloni është i përfshirë si shërbim shtesë – jo si produkt bazë”, tha Dema.

Sipas ekspertit, infrastruktura rrugore dhe transporti publik janë gjithashtu ndër sfidat më të mëdha për turizmin në Shqipëri.

Gjendja e infrastrukturës rrugore është në shumë raste skandaloze. Rrugë të amortizuara, pa sinjalistikë, ndriçim apo mbrojtje. Aksidentet dhe bllokimet kilometrike janë të zakonshme gjatë sezonit, sidomos drejt zonave bregdetare. Transporti publik është një tjetër dramë: mjete të vjetra, pa kondicioner, orare të paqarta dhe stacione të shpërndara pa logjikë. Për një turist të huaj është thuajse e pamundur të lëvizë pa ndihmë lokale, duke rrezikuar të humbasë në një sistem të paorganizar.” shton ai.

Lidhur me sigurinë në plazhe, Dema thekson mungesën e rojeve bregdetare dhe pajisjeve të shpëtimit.

Siguria në plazhe është jashtë çdo standardi ndërkombëtar. Mungesa e rojeve bregdetare, pajisjeve të shpëtimit dhe ndihmës së parë janë probleme serioze që kërcënojnë jetën e pushuesve çdo ditë. Rastet e mbytjeve dhe aksidenteve me mjete ujore janë të shpeshta. Këtë sezon janë raportuar disa vdekje nga motorë uji që lëvizin shumë afër bregut. Madje para 3 viteve një fëmijë u vra në breg nga një mjet lundrues i drejtuar nga një efektiv policie në Himarë.” përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *