Të gjithë jemi kureshtarë për jetën private të miliarderëve më të njohur në botë. Nga jashtë, ata duken si figura të paarritshme të suksesit, por pas pasurisë dhe famës fshihen zakone të pazakonta, shpeshherë të lidhura me mënyrën se si nisin ditën. Në vijim, do të njiheni me disa prej ritualeve më të çuditshme, e ndonjëherë edhe ekstreme, që ndjekin disa nga njerëzit më të fuqishëm të kohës sonë.
Shefi i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, nuk fsheh dot varësinë e tij ndaj Diet Coke. Në një intervistë ka rrëfyer se konsumon deri në tetë kanaçe në ditë, shpesh të shoqëruara me kafe. Por ajo që e dallon më shumë është mënyra si e planifikon ditën: çdo aktivitet i tij është i ndarë në intervale pesëminutëshe. Kjo metodë e menaxhimit të kohës i lejon të jetë maksimalisht efikas.
Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Jobs, ishte i njohur për stilin e jetesës minimaliste dhe për qasjen ekstreme ndaj ushqimit. Ai ndiqte dieta tejet të kufizuara, si frutorianizmi, dhe kishte periudha ku hante vetëm karota ose mollë. Sipas biografisë së Walter Isaacson, Jobs besonte se një dietë e pastër e bënte trupin të vetëpastrues, ndaj nuk kishte nevojë as për deodorant dhe as për dush të përditshëm. Më e çuditshmja? Konsumi i tepërt i karotave i kishte dhënë lëkurës një nuancë portokalli.
Motivuesi më i famshëm në botë, Tony Robbins, nis çdo mëngjes me një zhytje në ujë me temperaturë rreth 13°C. Ai beson se kjo ‘terapi me ujë të ftohtë’ zgjon trupin dhe mendjen, përmirëson qarkullimin e gjakut, redukton inflamacionin dhe ndikon pozitivisht në gjendjen shpirtërore.
Investitori legjendar Warren Buffett konsumon çdo ditë pesë kanaçe Coca-Cola, që përbëjnë një çerek të kalorive të tij ditore. Ndërkohë, mëngjesin e merr nga McDonald’s, dhe zgjedhja e tij varet nga mënyra si po performon tregu atë mëngjes. Përkundër këtyre zakoneve jo shumë të shëndetshme, Buffett është i bindur se sekreti i jetëgjatësisë është, lumturia.
Ndryshe nga të gjithë të tjerët, shpikësi dhe politikani amerikan Benjamin Franklin kishte një mënyrë unike për t’u freskuar në mëngjes. Ai qëndronte nudo përpara një dritareje të hapur për afro një orë, duke praktikuar atë që e quante ‘banjë me ajër’. Franklin besonte se ajri i pastër pastronte trupin dhe i jepte qartësi mendjes, duke e bërë këtë pjesë të pandashme të rutinës së tij ditore.
Pasuria dhe suksesi nuk vijnë rastësisht, shpesh qëndrojnë mbi zakone të përditshme, sado të çuditshme të duken. Në fund të fundit, çdo njeri i suksesshëm ka gjetur mënyrën e vet për të nisur ditën me energji dhe qëllim të qartë. Aspra News-iefimerida








