Brenda më pak se një muaji, banorët e Dardaneleve në Turqi po përballen sërish me një zjarr të madh, që kërcënon të shkatërrojë atë që ka mbetur pas tragjedisë së mëparshme.
Sipas burimeve lokale, zjarri shpërtheu dje në një zonë rurale pranë qytetit Kepez dhe, për shkak të erërave të forta, u përhap me shpejtësi drejt zonave pyjore dhe vendbanimeve në Güzelyalı. Flakët kanë përfshirë edhe banesa, përfshirë disa vila luksoze.
Autoritetet kanë dërguar në vendngjarje 10 avionë zjarrfikës, 9 helikopterë, 110 automjete zjarrfikëse dhe 92 mjete ndihmëse. Në operacion po marrin pjesë rreth 760 punonjës të specializuar.
Qeveria turke njoftoi se disa vatra janë vënë pjesërisht nën kontroll, por të tjera mbeten aktive dhe paraqesin rrezik përhapjeje. Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për neutralizimin e tyre.
Si masë sigurie, janë evakuuar tre fshatra me gjithsej 2,090 banorë. Shtatëdhjetë e shtatë persona kanë pësuar probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit të dendur.









