Zjarret e pyjeve po shkaktojnë një ‘përzierje toksike’ ndotësish, e cila mund të përkeqësojë cilësinë e ajrit mijëra kilometra larg vatrës, paralajmëron OKB.
Sipas njoftimit të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) të OKB-së, cilësia e ajrit që thithin njerëzit është e lidhur ngushtë me ndryshimet klimatike dhe të dyja çështjet duhet të trajtohen bashkë.
Zjarret e Amazonës, Kanadasë dhe Siberisë kanë ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më qartë se si ndotja e ajrit mund të ketë pasoja në shkallë globale, thekson WMO në raportin e tij të pestë vjetor mbi ‘cilësinë e ajrit dhe klimës’.
“Klimë dhe ndotje që nuk njohin kufij”
“Ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit nuk njohin kufij, siç e dëshmojnë valët e të nxehtit dhe thatësirat që ushqejnë zjarret dhe degradojnë cilësinë e ajrit për miliona njerëz”, deklaroi zëvendëssekretarja e përgjithshme e WMO-së, Ko Barrett.
Raporti analizon ndërveprimin mes klimës dhe ajrit, duke vënë në dukje rolin e grimcave të imëta (aerosoleve) që çlirohen nga zjarret, formimin e mjegullës dimërore, si dhe emetimet nga transporti detar dhe ndotja urbane.
Veçanërisht të rrezikshme konsiderohen grimcat PM2.5, të cilat depërtojnë thellë në mushkëri dhe sistemin kardiovaskular.
Sipas WMO-së, gjatë vitit 2024 niveli i PM2.5 u rrit mbi mesataren në Kanada, Siberi dhe Afrikën Qendrore, ndërsa rritja më e madhe u regjistrua në pellgun e Amazonës.
Efekte përtej kontinenteve
“Sezoni i zjarreve po bëhet çdo vit më i gjatë dhe më i ashpër për shkak të ndryshimeve klimatike”, theksoi Lorenzo Labrador, drejtor shkencor në WMO.
Ai solli si shembull zjarret e Kanadasë, të cilat sollën ndotje atmosferike deri në Evropë.
“Kjo ndodhi vitin e kaluar dhe po përsëritet edhe këtë vit. Pra, nëse kushtet meteorologjike e favorizojnë, cilësia e ajrit përkeqësohet në disa kontinente”, u shpreh Labrador.
“Këto zjarre në thelb prodhuan një përzierje toksike që ndot ajrin”, shtoi ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), ndotja e ajrit shkakton mbi 4,5 milionë vdekje të parakohshme çdo vit, me pasoja të rënda për mjedisin dhe ekonominë globale.
Thirrje për politika të forta
WMO apelon për përmirësimin e monitorimit dhe zbatimin e politikave më të forta për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, duke theksuar edhe kostot ekonomike që mund të shmangen.
Në fund, Lazz kujtoi: “Në Evropë shpesh harrojmë se çfarë thithnim 20 vite më parë ishte pa dyshim shumë më e dëmshme sesa sot.”