Aktivisti politik Denis Dema paralajmëron se mbyllja e televizionit News 24 është një sinjal i qartë që tregon synimin e qeverisë për të shuar çdo zë kritik në vend.
“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt autoritarizmit. Mbyllja e një tjetër media nga qeveria shqiptare nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një skenari të qartë: eliminimi sistematik i çdo zëri kritik. Kjo nuk është vetëm censurë, është një mesazh politik i drejtpërdrejtë: Kush guxon të flasë, do të heshtet.” thekson Dema.
Ai thekson më tej se ky veprim nuk godet vetëm gazetarët, por i heq qytetarëve të drejtën themelore për t’u informuar.
“Mbyllja e një media nuk prek vetëm gazetarët, prek çdo qytetar që ka të drejtë të informohet. Ky veprim godet në zemër të demokracisë dhe e zhyt vendin në një realitet ku propaganda zëvendëson të vërtetën. Nëse sot heshtim, nesër do të zgjohemi në një vend ku fjala e lirë do të jetë vetëm kujtim.” shtoi ai.









