Musk mbështet protestat në Japoni kundër emigrantëve

Elon Musk shprehu mbështetjen e tij për një protestë kundër emigrantëve që u zhvillua në Japoni, një vend ku, megjithëse jeton një numër i vogël të huajsh, një parti me sloganin kryesor ‘Japonezët të parët’ arriti fitime të mëdha në zgjedhjet e fundit.

Kreu i Tesla-s dhe SpaceX-it, ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, ka mbështetur edhe më parë parti të tjera të ekstremit të djathtë, si Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Duke komentuar videon e një proteste të vogël që u zhvillua në Japoni, të cilën e publikoi në X një llogari me emrin ‘The British Patriot’, Musk shkroi: “E bukur”.


Protesta shpërthyen në Japoni me kërkesën për dëbimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm. Nga Australia në Europë duke kaluar nga Japonia, qytetarët bashkohen për riatdhesimin” shkroi përdoruesi The British Patriot. Ky prezantohet si një “britanik krenar, i bardhë (…) plotësisht besnik ndaj atdheut tim”.

Videoja duket të jetë regjistruar më 20 gusht në Osaka dhe tregon njerëz që mbanin flamuj japonezë dhe pankarta me slogane kundër emigrantëve. Një prej tyre shkruante: “Mos e ktheni Japoninë në Afrikë”.

Përqindja e emigrantëve që jetojnë në Japoni është shumë më e ulët krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara, ndërsa, sipas sondazheve, emigracioni nuk përbën një nga shqetësimet kryesore për votuesit japonezë.

Rënia e lindshmërisë
Megjithatë, popullsia e vendit po plaket, ndërkohë që Japonia ka një nga normat më të ulëta të lindshmërisë dhe përballet me mungesë fuqie punëtore, gjë që ka sjellë rritjen e numrit të emigrantëve.

Në korrik, në zgjedhjet për dhomën e sipërme, partia kundër emigracionit Sanseito, me sloganin ‘Japonezët të parët’, fitoi 15 vende nga 2 që kishte më parë, ndërkohë që ka edhe tre vende në dhomën e poshtme.

Programi i Sanseito është i ngjashëm me atë të partive të tjera populiste në mbarë botën: denoncon ‘elitat’, ‘globalizimin’ dhe deklaron se do të ‘kthente pushtetin tek qytetarët’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *