Mijëra mushkonja na vizitojnë çdo vit, duke na dhënë netë plot nerva e bezdi. Por në cilin vend prania e mushkonjave është një fenomen inekzistent?
Islanda duket se është vendi ku mushkonjat ‘mungojnë’ gjatë gjithë vitit, edhe pse shtete fqinje si Norvegjia, Skocia dhe Grenlanda strehojnë shumë lloje të tyre.
Pse nuk ka mushkonja në Islandë
Me kalimin e kohës janë hedhur shumë teori, por më e pranuara është se mushkonjat thjesht nuk kanë arritur ende në Islandë. Ky vend ishullor është i ndarë nga fqinjët e tij me qindra milje oqeani, gjë që krijon një pengesë natyrore për ardhjen e tyre.
Megjithatë, Gísli Már Gíslason, profesor i nderuar i limnologjisë në Universitetin e Islandës, ka konfirmuar se disa mushkonja mund të mbërrijnë me avion, pasi ai vetë kapi një mushkonjë gjatë një fluturimi nga Grenlanda në Islandë.
Ai shtoi gjithashtu se mushkonjat mund të mbijetojnë për orë të tëra në sistemin e uljes së avionëve, edhe në temperatura nën zero, siç tha në një intervistë për Reykjavík Grapevine në vitin 2017.
Por nëse disa mushkonja kanë arritur në Islandë, pse nuk shtohet popullsia e tyre?
Pse nuk shumohen
Edhe pse Islanda ka shumë liqene dhe burime uji pranë aeroporteve, që janë vende ideale për vezët e mushkonjave, duket se klima e ashpër është arsyeja kryesore.
Cikli i jetës së një mushkonje ka katër faza: vezë, larvë, pupë (ngjashëm me një larvë) dhe insekt i rritur. Mushkonjat e rritura i lënë vezët në ujë; këto çelin, bëhen larva, më pas pupë dhe në fund mushkonja të rritura.
Robert Jones, biolog i insekteve dhe profesor i asociuar në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha për Live Science se larvat e mushkonjave kanë nevojë për ujë të ngrohtë për t’u zhvilluar. Në zona shumë të ftohta si Arktiku Kanadez, disa lloje arrijnë të mbijetojnë nëpërmjet fazës së vezës, e cila mund të përballojë muaj me ujë të ngrirë.
“Në rajonet më të ngrohta të Evropës Qendrore, mushkonjat mund të mbijetojnë dimrin si vezë ose larva në ujëra të mbrojtura që nuk ngrijnë, ose si insekte të rritura të fshehura në zgavra dhe vende të mbrojtura”, shtoi ai.
Klima e Islandës
Klima e Islandës është disi e ndërmjetme: dimrat e gjatë dhe ciklet e shpeshta të ngrirjes-shkrirjes në vjeshtë dhe pranverë bëjnë që uji të ngrijë e shkrihet vazhdimisht.
“Këto cikle prishin zhvillimin dhe i vrasin vezët e larvat e mushkonjave para se të arrijnë fazën e rritur, duke e bërë shumë të vështirë krijimin e një popullsie të qëndrueshme”, tha Jones.
Edhe pse pishinat gjeotermale të Islandës ruajnë temperatura të qëndrueshme, ato janë shumë të larta për larvat e mushkonjave të përshtatura me gjerësitë e larta gjeografike.
“Gjithashtu, përbërja kimike e ujërave gjeotermale me shumë gjasa nuk është e përshtatshme për zhvillimin e mushkonjave”, shtoi profesori.
Megjithatë, me ndryshimet klimatike, mungesa e mushkonjave në Islandë mund të mos zgjasë përgjithmonë. Jones theksoi se stinët më të ngrohta, pranvera dhe vjeshta, mund të krijojnë periudha më të gjata me ujëra të pa ngrira, duke u dhënë mundësi mushkonjave të krijojnë popullsi të përhershme.
Imo Hansen, profesor i biologjisë në Universitetin e New Mexico, pajtohet:
“Tani po shohim mushkonja tropikale që po përhapen drejt veriut në Shtetet e Bashkuara”, tha ai për Live Science, kryesisht për shkak të dimrave më të butë.
Nëse mushkonjat arrijnë më në fund në Islandë, nuk do të ishte hera e parë që një “zonë e lirë nga mushkonjat” zhduket. Havai, arkipelagu më i izoluar në botë, nuk kishte mushkonja deri në vitin 1826, kur anijet evropiane dhe amerikane i sollën ‘pa dashje’.
Klima e favorshme e Havait bëri që mushkonjat të shumoheshin e të përhapeshin shpejt në ishujt përreth.
Megjithatë, sipas ekspertëve, rreziku që mushkonja bartëse sëmundjesh si ethet e dengës të mbërrijnë në Islandë mbetet i ulët, sepse këto insekte kanë nevojë për klimë tropikale ose subtropikale për të mbijetuar, shtoi Jones.









